Matura Shtetërore 2012, ja datat e provimeve

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nëpërmjet një udhëzimi të nxjerrë ditën e djeshme, ka bërë të ditur të gjitha datat në të cilat do të zhvillohen provimet për Maturën Shtetërore 2012. Në bazë të këtij udhëzimi, provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, që është një provim i detyruar, do të zhvillohet në datën 2 qershor 2012.

Matematika, një provim tjetër i detyruar, do të zhvillohet në datën 16 qershor 2012, ndërkohë që provimet e lëndëve me zgjedhje si çdo vit do të zhvillohen të gjitha në një ditë dhe për këtë vit shkollor është caktuar data 30 qershor 2012.

Viti shkollor për maturën përfundon 3 javë para klasave të tjera të shkollave të mesme dhe përkatësisht në datën 22 maj. Po sipas udhëzimit nr.3 të MASH, çdo Drejtori Arsimore Rajonale apo Zyrë Arsimore brenda datës 24 maj 2012 duhet të dërgojë pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve emrat e të gjithë maturantëve mbetës, me qëllim që të hiqen nga listat e provimeve të Maturës Shtetërore. Për sa i përket Shkollës së Mesme Pedagogjike për minoritetin grek, në lidhje me provimin e Gjuhës dhe Letërsisë Greke do të përgatitet një tezë e veçantë nga DAR Gjirokastër. Në Shkollat e Mesme Pedagogjike për minoritetin, ky provim do të zhvillohet në datën 28 maj 2011.